Një hetim i Forbes ka zbuluar mekanizmat e dyshimtë të kompanisë The Agora, një konglomerat mediatik i përfshirë në shitjen masive të këshillave të rreme mbi financat dhe shëndetin, i cili ka ndërtuar një perandori shumë-milionëshe përmes Facebook, Instagram dhe YouTube. Me mbi 100 milionë ndjekës dhe reklama që ngacmojnë frikën apo lakminë – varësisht kush është në pushtet – Agora shfrytëzon ndjeshmëritë e publikut amerikan për të shitur suplemente “natyrale”, protokolle shëndetësore pa baza shkencore dhe “sekrete investimi” që shpesh kushtojnë mijëra dollarë në vit.
Në qendër të fushatave të saj janë video të gjata që pretendojnë zbulime shokuese – si kurat e fshehura për kancerin apo një fond sekret prej 150 trilionë dollarësh që Trump do ta “çlirojë” për qytetarët – të gjitha të ofruara kundrejt një abonimi. Por në prapaskenë qëndron një histori e gjatë akuzash për mashtrime nga SEC, FTC dhe prokurorë të shtetit, që përfshijnë promovime të rreme për trajtimin e diabetit, përfitime të pavërteta nga marrëveshjet e industrisë së duhanit dhe humbje të mëdha financiare për klientët e mashtruar. Pavarësisht gjobave dhe marrëveshjeve ligjore, Agora vazhdon të lulëzojë, duke përfituar nga mungesa e kontrolleve në platformat sociale dhe rënia e besimit të qytetarëve tek institucionet publike.