Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë ditën e djeshme banesën historike të legjendës së futbollit shqiptar, Selman Stërmasi, në zemër të Tiranës pranë “Pazarit të Ri”, një nga zonat më të lakmuara për ndërtime të reja. Flakët shpërthyen papritur në objektin që konsiderohet një trashëgimi simbolike për sportin dhe historinë urbane të kryeqytetit. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme në banesat përreth, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Por pikëpyetjet nuk mungojnë: a ishte ky një aksident i rastësishëm, apo një tjetër episod që i shtohet serialit të dyshimtë të zjarreve në godina me vlerë kulturore në Tiranë? Vendndodhja strategjike e kësaj prone, vetëm pak hapa nga qendra dhe në një zonë ku ndërtimi i kullave është kthyer në normë, e ushqen më tej dyshimin publik se pas flakëve mund të fshihet një interes shumë më i madh: hapja e rrugës për një projekt të ri ndërtimi. Historia e Tiranës së viteve të fundit njeh jo pak raste kur godina historike janë zhdukur pas zjarreve “të rastësishme”, për t’u zëvendësuar më pas me beton dhe qelq. A do të jetë kjo edhe fati i shtëpisë së Selman Stërmasit? Heshtja e autoriteteve deri më tani vetëm sa i shton dyshimet.







