Britania po përballet me verën më të nxehtë dhe më të thatë në dekada, ndërsa një valë e tretë e të nxehtit po përfshin vendin me temperatura që pritet të shkojnë deri në 33°C këtë fundjavë.
Toka është tharë, barërat janë zverdhur dhe rezervuarët po shterojnë në të gjitha rajonet, ndërsa 16 milionë banorë janë paralajmëruar për ndalim të përdorimit të tubave të ujit (hosepipe ban), veçanërisht në rajone si Yorkshire, Oxfordshire dhe Berkshire.
Sipas të dhënave zyrtare, kjo është vera më e thatë në Britani që nga viti 1976, me vetëm gjysmën e reshjeve të zakonshme që nga shkurti deri në qershor. Në disa zona, si Blagdon, Derwent Valley dhe Yorkshire Supply Group, rezervuarët janë klasifikuar si “jashtëzakonisht të ulët”, me nivele të ujit nën 60%.
Ndërkohë, Thames Water dhe Yorkshire Water kanë paralajmëruar ndalime të menjëhershme për përdorimin e ujit për ujitje kopshtesh, larje makinash dhe mbushje pishinash, me gjoba deri në 1,000 paund për shkelësit.
Sipas Agjencisë së Mjedisit, zona të mëdha të Anglisë Jugore janë shpallur në gjendje “thatësire të zgjatur”, me rrezik të shtuar për zjarre në natyrë, si dhe dëmtime të rrjetit të ujit nga shtrëngimet në tubacione.
Moti ekstrem ka rritur kërkesat për masa emergjente. Met Office ka lëshuar alarm të verdhë për shëndetin nga i nxehti në të gjithë Anglinë, ndërsa Shërbimi Shëndetësor bën thirrje për kujdes ndaj moshave të treta dhe personave me sëmundje kronike.
Vapa po ndikohen edhe transportin dhe sigurinë rrugore, me një rritje të thyerjeve të makinave të raportuar nga RAC, ndërsa organizatat mjedisore paralajmërojnë për zjarre të mundshme nga barbecue të pakujdesshme.
Parashikimet tregojnë se moti i nxehtë do të zgjasë deri në fillim të javës tjetër, duke e kthyer verën britanike në një nga më të nxehtat dhe më të pasigurta të shekullit.













