Një 21-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë pas disa javësh hetimesh të Seksionit për Krimet Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Tiranës.
Operacioni i koduar “Identiteti” çoi në arrestimin e shtetasit S. M., i cili akuzohet se ka falsifikuar karta identiteti duke përdorur foton e tij me të dhënat personale të shtetasve të tjerë, për të aplikuar dhe përfituar kredi bankare në shuma që varionin nga 1000 deri në 3400 euro.
Sipas hetimeve, deri tani janë dokumentuar 9 raste mashtrimi financiar të realizuara përmes kësaj skeme të sofistikuar. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi:
- 1 automjet në pronësi të të dyshuarit,
- disa karta identiteti të falsifikuara,
- 2 telefona celularë,
- 20 karta SIM të përdorura në aplikime të ndryshme.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse i riu ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë, si dhe nëse ka aplikuar për kredi të tjera me identitete të ndryshme. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.







