E ardhmja e Dushan Vlahoviçit te Juventusi duket se ka marrë rrugën drejt një fundi të papritur dhe të parakohshëm. Sipas raportimeve të fundit nga eksperti i merkatos Xhanluka di Marzio, sulmuesi serb është praktikisht jashtë planeve të klubit bardhezi dhe drejtuesit po kërkojnë një zgjidhje për të shkëputur rrugët me të.
Drejtori i përgjithshëm, Komoli, është duke punuar intensivisht për të gjetur një marrëveshje me përfaqësuesit e lojtarit. Në orët në vijim pritet të zhvillohet një takim vendimtar, ku Juventusi do të propozojë zyrtarisht ndërprerjen e kontratës me konsensus. Kjo lëvizje vjen pas një sezoni të paqëndrueshëm për Vlahoviçin, i cili nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë që solli transferimi i tij me shumë bujë nga Fiorentina.
Pavarësisht disa paraqitjeve pozitive, sulmuesi serb nuk është më pjesë e projektit teknik të trajnerit të ri Igor Tudor dhe për klubin është bërë e qartë se largimi i tij është i domosdoshëm për të liruar hapësira në repartin ofensiv dhe për të ulur barrën financiare. Një ndërprerje e tillë e kontratës do të ishte një zgjidhje radikale, por e nevojshme, sidomos nëse nuk vijnë oferta të kënaqshme nga klubet e tjera për blerjen e kartonit të tij.
Me këtë veprim, Juventusi synon të mbyllë një kapitull të nisur me shumë shpresë, por që në fund nuk dha rezultatet e pritura. Ndërkohë, për Vlahoviçin hapet një faqe e re, një transferim i mundshëm në një klub tjetër europian, ku do të kërkojë të rilindë dhe të rifitojë statusin e një prej sulmuesve më premtues të brezit të tij.







