Ditët e fundit janë raportuar raste të shumta se, pikërisht në kulmin e sezonit turistik – një nga periudhat më të rëndësishme për vendin tonë – disa qytete të Shqipërisë kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Kjo është kthyer në një problem serioz jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë turistët.
Në Elbasan, furnizimi me ujë të pijshëm është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, por ka ende sfida në infrastrukturë dhe cilësi, veçanërisht në zonat rurale.
Prej disa ditësh (7 ditë), banorët në lagjen “5 Maj” në qytet vuajnë mungesën e ujit, duke vështirësuar përditshmërinë e tyre. Banorët shprehen se nuk janë njoftuar për këtë ndërprerje të gjatë të furnizimit me ujë, dhe për ta mbetet e vështirë në kushtet e temperaturave 40°C që ka shënuar Elbasani.
Aktualisht, çmimi i ujit është afërsisht 40 lekë për m³ për familjet, por ka pasur diskutime për rritje në 60 lekë/m³ për gjithë Qarkun Elbasan. Arsyeja e dhënë: kosto e lartë prodhimi, shpërndarjeje dhe investime të mëdha në sistem.







