FLASH :

Turistët ndezin zjarr në Plovisht, digjet 1 hektar tokë bujqësore – zjarrfikësit shmangin përhapjen në pyje

Një zjarr i rrezikshëm përfshiu këtë të martë një sipërfaqe prej 1 hektari tokë bujqësore në fshatin Plovisht të bashkisë Maliq, në Njësinë Administrative Gorë. Sipas autoriteteve, shkak është bërë pakujdesia e disa turistëve, të cilët ndezën zjarr dhe nuk e fikën para se të largoheshin.

Reagim i shpejtë, flakët neutralizohen në 20 minuta

Ngjarja u raportua rreth orës 11:29 të mëngjesit dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave zjarrfikëse, forcave të pyjores, policisë dhe vullnetarëve, zjarri u neutralizua brenda 20 minutave, duke u shuar plotësisht në orën 11:50. Në operacion morën pjesë:

  • 2 mjete zjarrfikëse me 7 efektivë,
  • 10 forca pyjore,
  • 4 vullnetarë,
  • 2 mjete bashkiake,
  • 3 efektivë të Policisë së Shtetit me 2 automjete.

Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar apo dëme në fondin pyjor përreth.

Apel për kujdes në ditët e nxehta

Autoritetet lokale kanë rindalur apelin për kujdes të shtuar, veçanërisht në këto ditë të nxehta vere, kur zjarret përhapen me shpejtësi dhe përbëjnë rrezik serioz për mjedisin dhe jetën e banorëve.

“Çdo pakujdesi mund të kthehet në katastrofë. Lënia e zjarreve pa mbikëqyrje është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj,” thuhet në njoftimin zyrtar.