FLASH :

Nga Klodian Tomorri / Humori bajat i Raiffeisen

E vënë në qendër të skandaleve, për abuzime me kreditë, siç janë rastet e fundit të bëra publike në media, Raiffeisen ka nxituar të shpëlajë imazhin e saj duke bërtitur publikisht se po mbështet familjet e reja me kredi të buta.

Si i mbështet Raiffeisen familjet e reja me kredi të buta? Është duke hequr para nga fitimet e veta të majme? Përgjigjja është jo.

Ata që po mbështesin familjet e reja me kredi të buta janë taksapaguesit shqiptarë, jo Raiffeisen. Paratë i paguan buxheti. Ndërsa Raiffeisen jo vetëm që nuk mbështet asnjë lek, por përkundrazi, fiton para edhe nga kreditë e buta. Por Raiffeisen bën humor me hallet e miletit.

Për të vazhduar më tej, thonë që kemi shumë programe të përgjegjshmërisë sociale! Çfarë programesh të përgjegjshmërisë sociale ka Raiffeisen-i?

Ka mbështetur me bursë ndonjë fëmijë nga shtresat në nevojë? Ka financuar ndërtimin e ndonjë shkolle apo spitali? Jo. Ka mbështetur ndonjë të moshuar pa njeri? Jo. Thjesht kanë mbjellë ca pemë nga liqeni, dhe edhe aty janë përdorur politikisht. Këto janë programet e përgjegjshmërisë sociale të Raiffeisen-it. Por nejse.

Problemi më i madh me Raiffeisen-in dhe një pjesë të bankave të huaja është diku tjetër: ato po shndërrohen në frenues të rritjes ekonomike në Shqipëri.

Menaxherët e huaj që ato sjellin në Shqipëri nuk e kanë fare në prioritetet e tyre menaxhuese financimin e ekonomisë kombëtare. Përkundrazi. Luajnë në fushën e tyre të sigurt dhe jetojnë jetën e bukur që u ofron Shqipëria.

Herë me të dashurat dhe herë me të dashurit e tyre, sipas rastit. Këto punët e festave “lavish” i bëjnë mirë Raiffeisen-i. Ndërsa sa për përgjegjshmërinë sociale, janë këto barcaletat me kreditë e shtresave në nevojë.