FLASH :

Rrezikon deri 20 vite burg ne Itali per organizate kriminale, kapet 46 vjecari ne Tirane

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 53”, forcat speciale arrestuan një shtetas shqiptar të kërkuar nga drejtësia italiane për vepra të rënda penale që lidhen me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Ndaj tij, autoritetet italiane kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, me një dënim të mundshëm deri në 20 vjet burgim.

Njoftimi zyrtar:

“Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 53”.

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh.

Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane dhe Projektin I-CAN, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprat penale, “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Veprat penale për të cilat, sipas Kodit Penal italian, parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.

Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.”