FLASH :

Eksperimentet tregojnë: Frika mund të kalojë nga prindërit te fëmijët

Trauma nuk ndikon vetëm tek ai që e përjeton, ajo mund të kalojë edhe te pasardhësit. Këtë e konfirmoi mjekja Artemisa Gogollari në një intervistë të dhënë këtë të martë në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, ku foli për ndikimin që përvojat e vështira të prindërve mund të kenë tek fëmijët e tyre madje edhe tek brezat që vijnë më pas.

Duke iu përgjigjur pyetjes së moderatores Pranvera Borakaj, nëse traumat kalojnë në breza, Gogollari solli një eksperiment shkencor me minj, ku trauma ndaj një arome të caktuar u trashëgua në disa gjenerata.
“Vetëm kur ndjenin aromën e trëndafilit, ata largoheshin me ankth dhe frikë edhe pse nuk kishin përjetuar traumën vetë. Ky reagim u vu re edhe tek pasardhësit e tyre,” tha mjekja.

Sipas saj, edhe pse eksperimente të tilla nuk janë bërë te njerëzit, është e qartë që mënyra se si rritemi, emocionet që përjetojmë, madje edhe përjetimet e nënës gjatë shtatzënisë, formojnë atë që më vonë quajmë “zëri i brendshëm”.

“Ndaj është kaq e rëndësishme të ushqejmë tek vetja një zë të ri, më të butë, që na flet ndryshe. Aty fillon shërimi,” përfundoi Gogollari.