Një burrë në Belgjikë është bërë objekt hakmarrjeje të dhunshme pasi u filmua duke vrarë qenin e tij, duke e tërhequr zvarrë pas makinës për disa kilometra me shpejtësi rreth 80 km/h. Videoja tronditëse tregon një qen të racës German Shepherd pa jetë, të varur nga litar i lidhur pas automjetit, ndërsa trupi i tij përdridhet rrugës.
Pamjet u regjistruan më 4 korrik dhe u publikuan në Facebook nga një dëshmitare e tmerruar me emrin Victoria, duke u përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale. Edhe pse targat e makinës ishin të mbuluara, përdoruesit arritën ta identifikojnë autorin dhe vendndodhjen e tij.
Burri u përball me një valë të madhe reagimesh, mesazhe urrejtjeje dhe një peticioni online me mbi 50,000 firma që kërkonin drejtësi për qenin e tërhequr zvarrë. Por situata mori një kthesë të dhunshme të hënën në mëngjes, kur persona të zemëruar, të vetëquajtur “mbrojtës të kafshëve”, e gjetën dhe i dogjën shtëpinë, në një ngjarje që autoritetet e klasifikojnë si tentativë vrasjeje.
Serge Fillot, kryebashkiaku i Oupeye, qyteti ku banonte burri, deklaroi: “Më telefonuan rreth orës 3:00 apo 3:30 të mëngjesit dhe më njoftuan se shtëpia e pronarit të qenit ishte në flakë. Fatmirësisht, ai arriti të dalë i gjallë.” Fillot e quajti veprimin ndaj qenit “tragjik dhe mizor”, por theksoi se djegia e shtëpisë “nuk është e pranueshme në asnjë rast”.
Shtëpia e tij u spërkat gjithashtu me grafite që lexonin “Vrasës qensh”, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se do të merren masa sigurie për ta mbrojtur në banesë dhe në vendin e punës.
Prokuroria ka hapur një hetim të veçantë për zjarrvënien, duke njoftuar se një ekspert është caktuar për të përcaktuar shkakun e zjarrit. “Hetimet paraprake tregojnë se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme natën, ndërkohë që njerëz ndodheshin brenda në banesë.” Autorët e këtij akti përballen me dënime deri në 30 vite burg.
Ndërkohë, hetimet për abuzimin me kafshën vazhdojnë. Sipas deklaratës së tij, pronari i qenit u paraqit në komisariatin e Hermalle të shtunën në mëngjes dhe pretendoi se qeni kishte kërkuar të hidhej nga dritarja pa dijeninë e tij, duke përfunduar në atë situatë.
Dëshmitarja Victoria rrëfen se ishte ajo që e pa gjithë ngjarjen në rrugë dhe që i binte borisë vazhdimisht për ta ndalur. “Më në fund ndaloi dhe erdhi drejt meje duke pyetur nëse isha unë që po i bija borisë,” thotë ajo. Kur e pyeti nëse mendonte se ishte normale të trajtonte qenin në atë mënyrë, ai ia ktheu: “Bëj ç’të dua, është qeni im,” përpara se ta hiqte nga litari dhe ta hidhte në bagazh sikur të ishte një send pa vlerë.