Inflacioni në muajin qershor ka arritur nivelin më të lartë në 16 muaj, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.4%, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Në raportin zyrtar, theksohet se krahasuar me muajin maj, indeksi i çmimeve të konsumit është rritur me 0.2%, ndërsa krahasuar me qershorin e një viti më parë, rritja është përshpejtuar nga 2.1% në 2.4%.
Sipas INSTAT, grupi që ka ndikuar më shumë në këtë rritje ka qenë “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një kontribut prej +1.19 pikë përqindje. Brenda këtij grupi, çmimet e nënprodukteve bazë si vajrat dhe yndyrnat janë rritur me 7.6%, qumështi, djathi dhe vezët me 4.6%, mishi me 4%, si dhe zarzavatet si patatet me 5.3%, pavarësisht se jemi në sezon prodhimi. Rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe peshku (+2.4%) dhe frutat (+1.3%).
Në rritjen e inflacionit kanë ndikuar gjithashtu edhe grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0.36 pikë përqindje, “Mobilje dhe pajisje shtëpiake” me +0.22 pikë, si dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me +0.17 pikë përqindje. Përkundrazi, çmimet në grupin “Transport” shënuan një ulje të lehtë me -0.03 pikë përqindje, duke qenë i vetmi grup me ndikim negativ në inflacionin vjetor.
Në aspektin mujor, çmimet u rritën më së shumti për ushqimet bazë (+0.9%), veshje dhe këpucë (+0.3%) si dhe për mallrat e shërbimet e ndryshme, ndërsa “Transporti” dhe “Argëtimi dhe kultura” shënuan ulje të lehta.
Rritja e inflacionit në qershor tregon se presionet mbi buxhetin e familjeve shqiptare mbeten të larta, veçanërisht për mallrat ushqimore bazë, ndërsa sezoni veror nuk po ndihmon në uljen e çmimeve për produktet bujqësore, siç ndodhte tradicionalisht në të kaluarën.



