Një grup të rinjsh britanikë janë shpallur fajtor për zjarrvënie të qëllimshme dhe bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjence, pasi dogjën një magazinë në Londër për llogari të grupit mercenar rus Wagner. Zjarrvënia e ndodhur më 20 mars 2023 në Leyton shkaktoi mbi 1 milion paund dëme dhe shkatërroi pajisje satelitore të rëndësishme për komunikimin Starlink që ishin nisur drejt Ukrainës.
Të dënuarit përfshijnë Nii Kojo Mensah (23 vjeç), Jakeem Barrington Rose (23), dhe Ugnius Asmena (20), ndërsa organizatori kryesor ishte Dylan Earl, 21 vjeç, një ndërtues dhe trafikant droge nga Leicestershire, i cili kishte krijuar lidhje me Wagner përmes aplikacionit Telegram. Ai kishte komunikuar me një kontakt të identifikuar si “Minsk KGB” dhe kishte pranuar detyra për akte sabotimi në territorin britanik.
Sulmi në magazinë u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe u transmetua drejtpërdrejt përmes videoje te rekrutuesi britanik që raporton për rusët. Në pamjet filmike, Mensah dhe Rose shihen duke mbajtur një bidon benzine dhe duke ndezur flakët, ndërsa më pas ikin nga vendngjarja. Më shumë se 60 zjarrfikës ndërhynë për të shuar zjarrin, i cili shkatërroi dhjetëra Starlink dhe pajisje të ndihmës humanitare të destinuara për Ukrainën.
Grupi më pas planifikonte të digjte edhe një restorant luksoz dhe një dyqan vere në Mayfair, si dhe të rrëmbente një miliarder rus opozitar që financonte ndihma për Ukrainën, por plani dështoi. Anëtarët e grupit nuk morën pagesën që u ishte premtuar nga rusët, pasi harruan të filmonin plotësisht zjarrin për “provë”.
Prokuroria e përshkroi këtë rast si një shembull të rrezikut real nga ndikimi i shteteve armiqësore në Mbretërinë e Bashkuar dhe theksoi se dënimet janë një mesazh i qartë se veprimtari të tilla nuk do të tolerohen. Kjo është një nga përdorimet e para të Ligjit të Ri për Sigurinë Kombëtare 2023 për të ndjekur penalisht individë të përfshirë në akte sabotimi në interes të një shteti të huaj.



