Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mëngjesin e së martës në aeroportin ndërkombëtar të Milanos – Bergamo, ku një burrë 35-vjeç, i cili nuk ishte pasagjer dhe as punonjës i aeroportit, u përfshi në mënyrë fatale në motorin e një avioni pasagjerësh të kompanisë Volotea që po përgatitej të nisej drejt Asturias, Spanjë. Sipas Bergamo News, ai mbërriti me makinë në terminal, e braktisi automjetin dhe hyri në ndërtesë pa biletë. Më pas, duke shmangur kontrollin e sigurisë, ai arriti të futet në zonën e pistës dhe të vrapojë drejt avionit Airbus A319, duke u përplasur me motorin në momentin kur avioni po kryente lëvizjen e “pushback”-ut për nisje.
Dy agjentë të Policisë së Kufirit tentuan ta ndalonin, por ai u shkëput dhe u hodh përpara turbofanëve të avionit. Dëshmitarët thanë se e panë fillimisht duke u përplasur me pjesët mbrojtëse të motorit të djathtë, dhe më pas duke u thithur ose duke u hedhur në motorin e majtë. Policia shkencore, skuadra fluturuese dhe prokuroria kanë nisur një hetim për të rindërtuar ngjarjen dhe për të kuptuar si arriti të depërtonte në një zonë kaq të mbrojtur.
Pasojat në trafikun ajror dhe reagimi i kompanisë
Ngjarja ndodhi në orën 10:35, duke shkaktuar pezullimin e fluturimeve në aeroportin e ngarkuar për disa orë. Tetë fluturime u anuluan dhe dhjetëra të tjerë u devijuan drejt aeroporteve në Bolonja, Verona dhe Milano Malpensa. Fluturimi V73511 u anulua dhe një tjetër u caktua për orën 15:55. Kompania Volotea konfirmoi se të gjithë 154 pasagjerët dhe 6 anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të sigurt. Operatori SACBO njoftoi se po bashkëpunon me autoritetet për hetimin, ndërsa pamje nga pista tregojnë momente paniku dhe ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve për të rikuperuar trupin.
Ngjarja ka ngjallur tronditje të gjerë në Itali dhe vjen pas rasteve të ngjashme dramatike në aeroporte të tjera në botë, përfshirë një incident në Iran dhe një tjetër në SHBA, ku punonjës të aeroportit u përfshinë në motorët e avionëve gjatë punës ose në akte të dyshuara vetëvrasjeje.

