Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në aeroportin Orio al Serio në Bergamo, Itali, ku një burrë humbi jetën pasi u përfshi nga motori i një avioni në lëvizje. Viktima, sipas autoriteteve, nuk ishte as pasagjer dhe as punonjës i aeroportit, por dyshohet se ka hyrë qëllimisht në pistë me synimin për të kryer vetëvrasje. Ai ka shmangur kontrollet e sigurisë dhe ka vrapuar drejt avionit, ndërsa policia nuk arriti ta ndalojë në kohë.
Një dëshmitar okular tregoi skenën tronditëse: “E pamë duke ikur me vrap nga stjuardët, fillimisht u përplas me guaskat mbrojtëse të motorit të djathtë, pastaj u kthye dhe ose u hodh ose u thith nga helika e motorit të majtë”. Për disa minuta, trafiku ajror u pezullua për shkak të hetimeve dhe inspektimeve të nevojshme në zonën operative, por rifilloi rreth mesditës. Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të incidentit dhe si u kapërcyen masat e sigurisë në aeroport.