Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim një 19-vjeçar të identifikuar si A. D., i cili akuzohet se ka përdorur kartën e identitetit të një bashkëmoshatareje për të marrë kredi në mënyrë të paligjshme. Denoncimi është bërë nga vetë e dëmtuara, e cila ka deklaruar se dokumenti i saj ishte përdorur pa dijeninë e saj për një aplikim kredie.
Sipas Policisë, “Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë nisur hetimet dhe po punojnë për kapjen e të riut si dhe për verifikimin e plotë të rrethanave të kallëzimit”. Dosja hetimore i është kaluar Prokurorisë së Elbasanit, ku pritet të hetohet më tej edhe mënyra sesi është lëshuar kredia, pa qenë i pranishëm fizikisht personi që figuron si posedues i dokumentit të identitetit.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu edhe shumën për të cilën ka aplikuar i dyshuari, si dhe përgjegjësinë e mundshme të institucionit financiar që ka lëshuar kredinë pa procedura të rregullta. Rasti ngre shqetësime për mungesën e kontrolleve në sistemin e aplikimit për kredi dhe rrezikun që paraqet për identitetin personal të qytetarëve.