Filmi më i ri i Superman-it, që pritet të dalë në kinematë botërore më 11 korrik, po përballet me kritika të ashpra që para premierës zyrtare. I drejtuar nga James Gunn dhe me David Corenswet në rolin e Superman-it dhe Rachel Brosnahan si Lois Lane, projekti synonte të rikthente lavdinë e një prej ikonave të kinemasë – por për disa kritikë, është kthyer në një dështim të shtrenjtë.
Sipas një vlerësimi të hershëm nga The Daily Beast – i cili më pas u hoq nga qarkullimi – filmi përshkruhet si “gozhda e fundit në arkivolin e zhanrit të superhero-ve”, duke kritikuar skenarin si të ngatërruar, të pafrytshëm dhe pa humor. Kritikët u shprehën se filmi është mbushur me “nonsense të stërholluar” dhe “klishe të tejkaluara që kërkojnë të duken progresive”, duke ironizuar një Superman që shpëton ketrat dhe përdor fjalë si “dude”.
Ndërsa përpjekja për të sjellë një version “më të ndjeshëm” të heroit shihet nga fansat si një largim i tepruar nga figura tradicionale, disa kritikë paralajmërojnë se lodhja e publikut nga universet e ndërlidhura dhe superheronjtë e stërpërsëritur po arrin pikën kritike.
