Pamjet dramatike nga momenti kur dy vëllezër, Mohammed Fahir Amaaz dhe Muhammad Amaad, sulmuan brutalisht tre oficerë policie në Aeroportin e Manchesterit, u shfaqën sot para një jurie në Gjykatën e Lartë të Liverpoolit. Incidenti ndodhi më 23 korrik të vitit të kaluar, pas një përplasjeje në një Starbucks, ku Amaaz akuzohet se ka goditur me kokë një pasagjer para familjes së tij dhe fëmijëve të vegjël.
Sipas prokurorisë, ndërhyrja e policisë për të ndaluar Amaaz-in në zonën e pagesës së parkimit përshkallëzoi shpejt në dhunë të paprecedentë. Amaaz goditi oficerët me grushta, bërryla dhe këmbë – gjithsej 10 goditje – ndërsa vëllai i tij Amaad u përfshi në përleshje duke goditur gjashtë herë oficerin e armatosur Zachary Marsden, të cilit i thyen edhe syzet dhe iu rrezikua arma e shërbimit.
Një nga oficeret femra, Lydia Ward, u godit në fytyrë duke pësuar frakturë në hundë, ndërsa një tjetër, Ellie Cook, ishte gjithashtu e përfshirë në përleshje. Në një moment kaosi, oficerët u detyruan të përdornin pistoletat Taser për të neutralizuar Amaaz, i cili vijonte të rezistonte edhe pas urdhrave të përsëritura për t’u dorëzuar.
Gjykata dëgjoi dëshminë tronditëse të oficerit Marsden, i cili tha se “asnjëherë nuk kam ndjerë goditje kaq të forta në jetë”. Ai deklaroi se ndjeu se arma e tij po lëvizte drejt pjesës së përparme të trupit, duke besuar se dikush po përpiqej ta nxirrte nga brezi – një skenar që ai e përshkroi si “kërcënim të menjëhershëm vdekjeprurës”.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe trupore të policëve tregojnë skenën e dhunës, përfshirë edhe momentin kur nëna e vëllezërve ndërhyn, ndërsa oficerët përpiqen të vënë situatën nën kontroll. Prokurori Paul Greaney deklaroi se pretendimi i të pandehurve për vetëmbrojtje është “thjesht i rremë” dhe se dhuna e tyre ishte “e pajustifikueshme”.
Mohammed Amaaz mohon akuzat për sulm dhe lëndim të rëndë ndaj zyrtarëve të shtetit, ndërsa vëllai i tij, Amaad, mohon një akuzë për lëndim trupor ndaj një oficeri. Procesi vijon.











