Operacioni “Plazhi i lirë” vijon me intensitet në vijën bregdetare të Sarandës, ku Policia dhe autoritetet vendore kanë liruar një tjetër hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme nga një subjekt privat. Si rezultat i kontrolleve në terren, u procedua penalisht administratorja e një stacioni plazhi që kishte vendosur çadra dhe shezlongë pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, konstatuan se shtetasja A. M., 63 vjeçe, kishte zënë një sipërfaqe toke publike duke vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra, pa autorizimin e autoriteteve kompetente. Në vijim, materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe ndaj saj nisi procedimi penal për veprën “Pushtimi i tokës”, sipas nenit 200 të Kodit Penal.
Policia deklaron se kontrollet do të vazhdojnë përgjatë gjithë sezonit veror, për të siguruar akses të lirë në hapësirat publike për pushuesit dhe për të garantuar ligjshmërinë e aktiviteteve të subjekteve përgjatë bregdetit.







