Policia në Lahore të Pakistanit ka arrestuar pronarët e një luani shtëpiak që u arratis nga një fermë dhe sulmoi një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur. Pamje të publikuara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin tronditës kur luani kapërcen murin dhe hidhet mbi gruan në një rrugicë të banuar, duke e rrëzuar përtokë. Dy fëmijët, të moshave 5 dhe 7 vjeç, pësuan plagë në fytyrë dhe krahë.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga bashkëshorti i viktimës, pronarët e luanit qëndruan pranë duke parë dhe qeshur teksa kafsha sulmonte, pa bërë asnjë përpjekje për ta ndaluar. “Ishte sikur po argëtoheshin,” thuhet në deklaratë. Të tre viktimat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit, luani u kthye vetë në fermë dhe më pas u transferua nga autoritetet në një park natyror. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikun e mbajtjes së kafshëve të egra si simbole statusi, praktikë ende e përhapur mes të pasurve në Pakistan. Ligji i miratuar pas një rasti të ngjashëm në dhjetor 2024 ndalon mbajtjen e luanëve në zona të banuara dhe kërkon licenca të posaçme dhe kushte të rrepta për strehimin e tyre.
Pronarët do përballen me akuza të rënda për neglizhencë dhe shkelje të ligjit për jetën e egër, ndërsa rasti ka ngjallur zemërim publik dhe thirrje për zbatim të rreptë të ligjit.







