Një ekonomi që varet vetëm nga xhepat e qytetarëve të saj është një ekonomi e pambrojtur. Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2024, konsumi i familjeve shqiptare u rrit mesatarisht me 100 euro në muaj për familje. Në total, familjet shqiptare shpenzuan 95.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Kjo rritje, që përkthehet në një kontribut prej 2.6% ndaj rritjes ekonomike, u përshëndet nga qeveria si tregues i suksesit të politikave të saj.
Por në të vërtetë, këto shifra zbulojnë një të vërtetë shqetësuese: ekonomia shqiptare është kthyer në një motor me një cilindër të vetëm, të varur pothuajse krejtësisht nga konsumi i familjeve, i cili sot përbën rreth 69% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në pamje të parë, rritja e konsumit duket pozitive. Më shumë para që qarkullojnë në treg, më shumë shitje për bizneset, më shumë taksa për shtetin. Por ky model është i brishtë dhe i rrezikshëm.
Nëse për ndonjë arsye si inflacion, papunësi apo ulje të remitancave, familjet detyrohen të ulin konsumin, ekonomia shqiptare rrëzohet si një kështjellë rëre. Për më tepër, pjesa më e madhe e këtij konsumi financohet nga burime të jashtme, si remitancat, dhe jo nga prodhimi vendas. Kur rritja ekonomike mbështetet vetëm tek shpenzimet, pa krijuar prodhim, eksport apo industri, ajo kthehet në iluzion. Për krahasim, në Bashkimin Europian konsumi i familjeve përbën mesatarisht vetëm 52-55% të PBB-së. Pjesa tjetër vjen nga investimet publike dhe private, eksportet, industria, teknologjia. Këto vende nuk janë mbështetur tek rritja artificiale e konsumit, por kanë investuar në sektorë që sjellin punë të qëndrueshme, rroga më të larta dhe ekonomi më produktive.
Politikat fiskale të qeverisë shqiptare janë turpshëm afatshkurtra. Për të mbajtur gjallë ekonominë, qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë: ka rritur pagat publike dhe ka dhënë ndihma sociale që kthehen direkt në konsum. Këto masa rrisin shpenzimet në afatshkurtër, por nuk ndërtojnë asnjë bazë për zhvillim afatgjatë. Në vend të këtyre masave të përkohshme, Shqipëria ka nevojë për një politikë fiskale që të krijojë kushte për industri prodhuese, përpunim bujqësor, teknologji informative, turizëm të qëndrueshëm dhe energji të rinovueshme. Por në vend të një vizioni të tillë, vendimet fiskale janë orientuar drejt përfitimeve elektorale dhe jo interesit kombëtar.
Investimet publike në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në rajon. Rrugët, portet, hekurudhat, energjia dhe infrastruktura teknologjike janë të pazhvilluara. Po ashtu, investimet private janë përqendruar tek ndërtimi dhe pasuria e paluajtshme, ndërsa sektorët prodhues dhe eksportues mbeten të pazhvilluar. Kjo mungesë vizioni po e mban vendin të varur nga importet dhe nga remitancat, ndërsa deficiti tregtar thellohet. Pa fabrika, pa teknologji, pa rritje produktiviteti, ekonomia mbetet peng i tregtisë dhe konsumit.
Edhe vendet e rajonit kanë pasur struktura të ngjashme, por disa kanë zgjedhur rrugë më të mençura. Serbia, p.sh., ka tërhequr investime të huaja në industrinë e automobilave dhe sot ky sektor është një nga më të fortët në ekonominë e saj, duke sjellë eksporte miliardëshe dhe vende të reja pune. Kjo ndodhi sepse politikat fiskale ishin të orientuara drejt prodhimit dhe industrisë, jo vetëm konsumit të përditshëm. Po ashtu, vendet e Europës Lindore si Polonia apo Çekia pas viteve ‘90 investuan në infrastrukturë, edukim dhe industri teknologjike. Sot ato nuk mbështeten më vetëm te konsumi, por kanë ekonomi të diversifikuara dhe qëndrojnë më të forta ndaj krizave.
Shqipëria ka nevojë urgjente për të ndryshuar drejtimin. Politikat fiskale duhet të shohin përtej katër viteve të radhës elektorale. Duhet të fokusohen tek:
• Investimi në infrastrukturë moderne
• Përkrahja fiskale për industritë prodhuese dhe eksportuese
• Reformimi i arsimit dhe trajnimi profesional
• Nxitja e inovacionit dhe teknologjisë
Në të kundërt, vendi do të mbetet peng i një modeli ekonomik që varet vetëm nga konsumi, një model që nuk garanton mirëqenie të qëndrueshme. Shqipërisë i duhet një politikë fiskale me vizion, jo me llogari të ngushta politike. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një ekonomi që nuk ushqehet vetëm nga konsumatorët, por që prodhon, eksporton dhe siguron të ardhme të denjë për qytetarët e saj.