FLASH :

Tregu i pronave në ngërç – Shoqata e Ndërtuesve konfirmon: Çmimet mund të ulen

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po përballet me ngadalësim të dukshëm, dhe për herë të parë, kjo pranohet publikisht nga vetë ndërtuesit. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Erjon Harizaj, ka konfirmuar në një intervistë për emisionin “Pro Business” në TV Klan se ndërtimi ka “ngecur” dhe stokun e apartamenteve që nuk po shiten e cilësoi si një tregues të qartë të krizës së tregut.

Sipas Harizajt, një ndër faktorët kryesorë është barra e lartë fiskale që rëndon mbi ndërtuesit, ndërsa pronarët e tokave nuk paguajnë asgjë. Ai tha se ndërtuesit paguajnë deri në 11% taksa për çdo projekt (3% për strehim social dhe 8% për infrastrukturë), ndërkohë që kërkoi një reformë urgjente të sistemit të taksave.

Harizaj nënvizoi se rënia e kërkesës ka sjellë stok të lartë apartamentesh të pashitura, sidomos në Tiranë, dhe paralajmëroi se çmimet mund të pësojnë ulje nëse situata nuk ndryshon. “Ka ngërç real në treg. Kërkojmë ulje të taksave për të zbutur kostot, përndryshe do të kemi ulje të çmimeve,” – u shpreh ai.

Ky është një nga sinjalet më të qarta deri tani se tregu imobiliar shqiptar ka hyrë në fazë ngadalësimi, duke rritur pritshmëritë se çmimet e apartamenteve mund të bien në muajt në vijim.