Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur një nga vendet më të lakmuara të punës në administratën publike: postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Albcontrol, institucioni që administron hapësirën ajrore shqiptare dhe është ndër më të paguarit në vend. Kandidatët mund të aplikojnë nga data 7 deri më 11 korrik 2025, nëse plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuara nga MIE.
Sipas njoftimit zyrtar, kandidati duhet:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” në shkenca shoqërore, ekonomike, juridike, inxhinieri ose aviacion;
- Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale;
- Të ketë mbi 7 vite përvojë pune në administrim apo fusha të ngjashme.
Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë Albcontrol dokumentacionin përkatës, përfshirë një letër motivimi, CV të detajuar, dokument identifikimi dhe dëshmi për përmbushjen e kritereve ligjore. Pas verifikimit të dokumenteve, faza e dytë përfshin një intervistë të drejtpërdrejtë me përfaqësues të ministrisë dhe të Albcontrol-it.
Albcontrol është një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo ofron shërbime të menaxhimit të trafikut ajror (ATM), komunikimeve dhe mbikëqyrjes së fluturimeve (CNS), si dhe informacion aeronautik (AIS). Kjo pozitë e lartë përfaqëson një nga rolet më të rëndësishme në administratën publike shqiptare dhe ofron përfitime të konsiderueshme financiare.







