Një video tronditëse e publikuar nga kamerat e sigurisë ka nxjerrë në pah momentin kur Kieran O’Connor, 35 vjeç, nga Liverpool, kap qenushin e tij të moshuar, një Staffordshire bull terrier i quajtur Prince, dhe e hedh brutalisht mbi gardh, duke e përplasur në një rrugicë me beton.
Ngjarja ndodhi në tetor të vitit të kaluar dhe u raportua nga një qytetar i shqetësuar që i dërgoi videon organizatës RSPCA. Pas hetimeve, O’Connor pranoi në gjykatë se kishte dështuar të siguronte mbrojtjen e qenit nga dhimbja, lëndimet dhe stresi emocional, duke shkelur Aktin për Mirëqenien e Kafshëve të vitit 2006.
Gjyqtari e dënoi me ndalim pesëvjeçar për mbajtjen e kafshëve, një urdhër komunitar me 26 ditë trajtim të detyrueshëm, si dhe gjobë prej 500 paundësh dhe një tarifë viktimash prej 114 paundësh.
Sipas një veterineri të RSPCA, Prince nuk kishte fraktura, por ishte ekspozuar ndaj dhimbjes dhe shqetësimit të panevojshëm. Inspektorja Caren Goodman theksoi se më tronditësja ishte mungesa e pendesës së O’Connor dhe refuzimi i tij për ta dorëzuar Prince-in, duke detyruar autoritetet të kërkojnë një urdhër gjykate për ta marrë kafshën në mbrojtje.
“Çdo kafshë ka të drejtën të trajtohet me mirësi dhe respekt. Dhuna që pamë këtu është e papranueshme,” deklaroi Goodman, duke falënderuar qytetarin që raportoi rastin dhe ndihmoi në shpëtimin e qenit.










