Policia në Berlin ka ushtruar forcë ndaj protestuesve pro-palestinezë gjatë një demonstrimi solidariteti me popullin e Gazës, duke shkaktuar reagime të forta pas publikimit të pamjeve tronditëse në rrjet. Në video shihet një efektiv policie që godet një protestues të arrestuar dhe të shtrirë përtokë, edhe pasi ai ishte tashmë i prangosur.
Protesta, e cila mblodhi qindra qytetarë në mbështetje të palestinezëve, përfundoi me disa arrestime, ndërsa reagimi i ashpër i forcave të rendit ka ngritur shqetësime serioze për sjelljen e policisë gjermane dhe trajtimin e demonstruesve paqësorë. Organizata të të drejtave të njeriut kanë dënuar ndërhyrjen brutale dhe kanë bërë thirrje për hetim të menjëhershëm të ngjarjes.







