Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka bërë paraqitjen e tij të parë publike që prej shpërthimit të konfliktit ushtarak mes Iranit dhe Izraelit më 13 qershor. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror treguan 85-vjeçarin duke marrë pjesë në një ceremoni në Teheran me rastin e Ashure-s, një nga ditët më të shenjta të kalendarit mysliman që përkujton martirizimin e Imam Huseinit.
Kjo paraqitje publike ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pasi për gati një muaj, Khamenei kishte qëndruar jashtë syrit të publikut, duke nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore dhe për përfshirjen e tij në vendimmarrjen e kohëve të fundit. Të gjitha deklaratat dhe fjalimet e tij gjatë kësaj periudhe kanë qenë të regjistruara paraprakisht, duke shtuar më tej pasigurinë.
Pjesëmarrja në ceremoninë e Ashura-s duket të jetë një përpjekje e udhëheqësit iranian për të treguar stabilitetin dhe vazhdimësinë e autoritetit të tij në një moment tensioni të lartë rajonal dhe pasojash të mundshme të përplasjes së fundit me Izraelin.







