Dikur, Shqipëria ushqente veten. Sot, po kthehet në një treg importi për çdo produkt që mund dhe duhet ta prodhojmë vetë. Vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti, importet e perimeve arritën 31 milionë euro një rritje me 11% krahasuar me vitin e kaluar. Dhe kjo nuk është thjesht statistikë. Është pasqyrë e dështimit të një politike që ka lënë bujqësinë shqiptare në mëshirë të fatit.
Shikoni faktet: sipas INSTAT importet e domateve u rritën me 54%, duke arritur mbi 1.4 milionë euro. Ndërkohë që serrat e fermerëve tanë po mbyllen, ne blejmë domate nga Egjipti. Importet e kastravecëve u rritën me 45%. E njëjta histori me specat, patatet dhe karotat. Ne kemi tokë pjellore, klimë të favorshme dhe traditë bujqësore, por jemi kthyer në klientë të bindur të tregjeve të huaja.
Nëse do të kishte një vizion të qartë, Shqipëria sot do të ishte eksportuese neto. Ne mund të ishim kopshti i Europës, duke furnizuar Gjermaninë, Italinë e gjithë rajonin me perime bio shqiptare. Por realiteti është ndryshe. Fermerët ankohen për mungesë subvencionesh, mungesë magazinimi frigoriferik, kosto të larta plehrash kimike, karburanti dhe transporti. Dhe në vend që qeveria t’i mbështesë, po i shkatërron, duke lënë hapur rrugën për importet.
A është normale që një vend me kaq shumë tokë të mbetur djerrë të importojë domate nga Afrika e Veriut? Kjo nuk është ekonomi tregu. Kjo është dështim politik. Sepse çdo euro që i japim Egjiptit apo vendeve të tjera, është një euro që nuk investohet në fshatin shqiptar. Është një euro që nuk shkon për të mbajtur fermerët këtu, për t’u dhënë atyre mundësinë të punësojnë fëmijët e tyre dhe të mbajnë gjallë jetën në fshat.
Nëse ka një detyrë themelore që ka çdo qeveri, është të sigurojë ushqimin e vendit të saj dhe të fuqizojë ekonominë rurale. Sot, jo vetëm që nuk prodhojmë mjaftueshëm për nevojat tona, por as nuk mendojmë për eksport. Dhe ndërkohë që fermerët tanë mbyllin serrat, tregjet tona mbushen me perime të importuara, shpesh të dyshimta në cilësi, ndërsa prodhimet shqiptare kalben pa treg.
E vërteta është kjo: Shqipëria mund të ushqejë veten dhe mund të ushqejë Europën. Por për këtë duhet vizion. Duhet politikë bujqësore serioze. Duhet investim në magazina frigoriferike, grante për mekanizim, subvencione direkte dhe politika që mbrojnë produktin vendas nga konkurrenca e pandershme.
Nuk ka më vend për justifikime. Çdo domate egjiptiane në tregun shqiptar është një shuplakë për bujqësinë tonë. Çdo kastravec i importuar është një vend pune më pak në fshat. Është koha të kuptojmë: një vend që nuk prodhon ushqimin e vet, nuk ka dot as zhvillim industrial e as ekonomi të qëndrueshme.







