Frika më e madhe për Bayern Munich u kthye në realitet në fundin e pjesës së parë të çerekfinales së Botërorit për Klube kundër PSG-së, kur ylli i mesfushës Jamal Musiala pësoi një dëmtim serioz në kyçin e këmbës së majtë dhe u detyrua të largohej nga fusha në minutën 45+3.
Ndeshja, e cila po luhet në “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta, u karakterizua nga intensitet i lartë mes dy gjigantëve të Europës, por episodi që shokoi të gjithë ndodhi kur Musiala u përpoq të kontrollonte një top brenda zonës, por u ndal nga portieri Gianluigi Donnarumma. Ndërhyrja ishte e pastër dhe brenda rregullave, por impakti rezultoi fatal për kyçin e Musialës.
22-vjeçari mbeti i shtrirë në dhimbje të mëdha, duke alarmuar stafet mjekësore të të dy skuadrave. Reagimi i shokëve të ekipit dhe i vetë Donnarummas, i cili u largua i tronditur në pushim, tregoi qartësisht rëndësinë e dëmtimit.
Musiala vetëm pak kohë më parë ishte rikthyer nga një tjetër dëmtim serioz. Sipas analizave paraprake, ai mund të përballet me një tjetër mungesë të gjatë në fushë, një goditje e rëndë si për lojtarin ashtu edhe për Bayern Munich.
Rezultati në pushim: PSG 0-0 Bayern, por gjithçka u errësua nga shqetësimi për gjendjen e talentit gjerman.







