FLASH :

“Don Bobi” ekstradohet nga Dubai në Itali – Shqiptari i shumëkërkuar Fatjon Gjonaj, në pranga për trafik ndërkombëtar droge

Fatjon Gjonaj, i njohur me nofkën ‘Don Bobi’, është ekstraduar nga Dubai në Itali më 3 qershor 2025, si pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës. Lajmi u bë publik vetëm sot, ndërsa 36-vjeçari shqiptar akuzohet si kreu i një organizate kriminale të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe bashkëpunim kriminal.

Gjonaj u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një kërkimi intensiv nga autoritetet italiane, të cilat aktivizuan menjëherë Shërbimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe Ekspertin e Sigurisë në Abu Dhabi. Ai u lokalizua dhe u arrestua nga policia e Dubait në ekzekutim të një urdhër-arresti ndërkombëtar për qëllime ekstradimi, dhe më pas u shoqërua drejt aeroportit të Fiumicino-s në Romë.

Hetimet ndaj tij nisën që në vitin 2019 pas një prite ndaj Enzo Anghinelli-t në Milano, çka zbuloi një rrjet më të gjerë të trafikut të drogës që përfshinte edhe Gjonajn. Brenda të njëjtit hetim, janë arrestuar tashmë 12 persona të tjerë për trafik droge dhe shoqatë kriminale.

Autoritetet italiane konfirmuan se ‘Don Bobi’ dyshohet të ketë drejtuar një rrjet që shpërndante kokainë dhe marihuanë në disa shtete, duke përdorur aplikacione të koduara për të fshehur komunikimet. Pas mbërritjes në Itali, Gjonaj u transferua menjëherë në burg, ku do të qëndrojë në pritje të procedimeve të mëtejshme nga Prokuroria e Milanos.

Ekstradimi i tij konsiderohet një sukses i madh për drejtësinë italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.