Një parcelë me 130 bimë kanabis sativa është zbuluar në mes të një zone pyjore në fshatin Domgjon të Mirditës, gjatë një operacioni të organizuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Mirditës.
Sipas njoftimit zyrtar, dy vëllezër, A.K., 22 vjeç dhe E.K., 20 vjeç, janë shpallur në kërkim si autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet për këtë rast janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse. Parcelat ishin fshehur në mes të pyllit, duke u përpjekur të shmangnin kontrollin e autoriteteve.







