FLASH :

Skafist rrezikon pushuesit në Borsh, bllokohet mjeti dhe gjobitet me 100 mijë lekë – Policia nis hetimet pas denoncimit në rrjet

Një incident i rrezikshëm në plazhin e Borshit ka vënë në lëvizje Policinë Kufitare dhe Njësinë Detare të Sarandës, pas publikimit të një videoje tronditëse në rrjetet sociale ku një skaf lundronte brenda perimetrit të sigurisë së pushuesve. Pamjet, që tregojnë mjetin lundrues duke u afruar rrezikshëm pranë vijës bregdetare të mbushur me njerëz, u kthyen në një alarm publik për sigurinë në plazh.

Policia reagoi menjëherë duke identifikuar dhe bllokuar skafin në fjalë. Drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Ll., u ndëshkua me një gjobë prej 100 mijë lekësh për shkelje të ligjit nr. 43/2020, konkretisht për zhvillim aktiviteti jashtë zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Përveç bllokimit të mjetit, ndaj tij do të merren masa shtesë nëse përsëritet sjellja e rrezikshme.

Policia Kufitare i ka bërë thirrje të gjithë pronarëve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë perimetrit e sigurisë dhe të shmangin çdo lundrim në zonat e ndaluara, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Po ashtu, qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo rast të ngjashëm në numrin 112, me garanci për reagim të menjëhershëm nga autoritetet.