Së fundmi, rastet e përfshirjes së shtetaseve kineze në rrjete prostitucioni po shfaqen me frekuencë shqetësuese në disa qytete të Shqipërisë. Pas rasteve të zbuluara në Durrës, Vlorë dhe Tiranë, fenomeni është shtrirë edhe në Kavajë, duke ngritur dyshime për një prani të organizuar dhe të përhapur të këtij aktiviteti të paligjshëm në vend.
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit, këtë herë në zonën e Qerretit, Kavajë. Operacioni “Baza” u zhvillua pas një hetimi intensiv dyjavor dhe çoi në arrestimin e dy shtetaseve kineze dhe procedimin e disa shtetasve shqiptarë, duke zbuluar një rrjet të strukturuar që funksiononte përmes rrjeteve sociale dhe apartamenteve me qira.
Ja njoftimi i policisë:
DVP Durrës
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të prostitucionit.
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Baza”.
Goditet një bazë prostitucioni në Qerret të Kavajës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi intensiv dhe të mirëorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Baza”, në kuadër të të cilit u dokumentua dhe u godit një rast i ushtrimit të prostitucionit.
Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetaseve kineze:
C. Y., 42 vjeçe dhe Y. Sh., 41 vjeçe, të dyja të dyshuara për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale 6 shtetas shqiptarë, klientë që dyshohet se kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Nga hetimet rezultoi se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira një apartament në Qerret dhe, përmes komunikimeve në rrjetet sociale, siguruan klientë, duke ofruar shërbime seksuale kundrejt vlerave monetare nga 80 deri në 200 euro.
Dy shtetaset kishin hyrë në Republikën e Shqipërisë si turiste, ndërsa në realitet ushtronin aktivitet të paligjshëm me qëllim përfitimi financiar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash në euro dhe dollarë dhe 2 telefona celularë, të përdorur për komunikime me klientët.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.







