Dy zyrtarët e arrestuar në kuadër të hetimeve ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” kanë mbërritur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier. Bëhet fjalë për shtetasin kinez Hong Ping Xiao dhe ish-administratorin e kompanisë, Leonidha Çobo.
Të dy të arrestuarit do të dalin para trupit gjykues për t’u njohur me akuzat që rëndojnë mbi ta, si dhe për të dhënë deklarimet e tyre në lidhje me hetimet që po zhvillohen. Seanca pritet të hedhë dritë mbi rolin e secilit në skemat e dyshuara të evazionit fiskal, mashtrimit financiar dhe pastrimit të parave që kanë përfshirë kompaninë ndër vite.
Operacioni hetimor i ndërmarrë nga Prokuroria e Fierit ka zbuluar skema të dyshuara mashtruese në deklarimin e të ardhurave dhe në trajtimin fiskal të kompanisë, e cila operon prej më shumë se një dekade në industrinë e nxjerrjes së naftës në Shqipëri.