FLASH :

Zjarret e frikshme pushtojnë Kretën, ja pamjet apokaliptike

Qindra persona janë evakuuar ndërsa një zjarr i madh vijon të digjet pa kontroll në ishullin grek të Kretës.

Zjarri shpërtheu pasditen e së mërkurës dhe është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të fuqishme me shpejtësi uragani, duke kërcënuar banesa, struktura turistike dhe infrastrukturë kritike, përfshirë edhe një pikë karburanti.

Deri tani, rreth 1,500 persona janë evakuuar nga vendbanimet përreth dhe zonat turistike, dhe janë zhvendosur në një zonë tjetër të sigurt brenda ishullit.

Përballë përhapjes së rrezikshme të flakëve, forcat zjarrfikëse janë shtuar ndjeshëm. Deri në orët e mbrëmjes të së mërkurës, 155 zjarrfikës, tetë ekipe të specializuara në terren dhe 38 automjete zjarrfikëse janë në veprim për të përballuar situatën.

Ndërkohë, një situatë edhe më e rëndë u regjistrua më herët këtë javë në Turqi, ku mbi 50,000 persona u evakuuan për shkak të zjarreve të fuqishme në provincën perëndimore të Izmirit.

Të paktën gjashtë viktima nga nxehtësia janë raportuar në Europë ndërsa kontinenti po përballet me një valë të hershme të të nxehtit veror. Fatalitetet më të fundit janë shënuar në Spanjë dhe Itali, ndërsa ka pasur viktima edhe në Francë.