Ky është momenti dramatik kur dëgjohen klithmat e pushuesve teksa një ‘mini-cunami’ përplaset në vijën bregdetare në jug të Spanjës.
Të paktën tetë persona, përfshirë edhe fëmijë, mbetën të plagosur pasi një valë e fuqishme goditi plazhin e Mazagónit në Huelva, të mërkurën.

Pamjet nga vendngjarja, të regjistruara rreth orës 16:00, tregojnë një masë të errët uji që lëviz me shpejtësi drejt bregut, përplaset në një shkëmb të madh dhe më pas rikthehet me forcë drejt rërës.
Një grua që po merrte diell në plazh dëgjohet duke bërtitur: “Shkëmbi, shkëmbi!” teksa vala afrohet me vrull.

Një grua tjetër, e identifikuar vetëm si Rocio, 28 vjeçe, përfundoi në spital për shkak të plagëve.
Duke folur për mediat spanjolle nga shtrati i spitalit, ajo tha se kishte këmbën e thyer dhe po priste ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa tregonte gjymtyrën e dëmtuar:
“Po dilja nga uji me një paddle board kur vala më goditi nga e majta dhe më përplasi në tokë,” rrëfeu ajo.
“Nuk po shihja asgjë dhe ngeca nën dërrasë. Vetëm kur arrita në spital mësova çfarë kishte ndodhur dhe se një anije ishte shkaktarja. Duhet të bëj një operacion në këmbë dhe më pret një periudhë e gjatë rehabilitimi.
Është gjëja e fundit që doja në fillim të verës.”

Personat e plagosur mendohet se janë përplasur me shkëmbinj në të majtë të vendit ku ndodhej ajo.
Një dëshmitar tha më vonë në rrjetet sociale:
“Anija kaloi shumë pranë bregut dhe shkaktoi një valë të fuqishme që përfshiu disa persona. Njerëzit u hodhën për tokë.”
Ngjarja dramatike është fajësuar për manovrat e një anijeje transporti mallrash me peshë 60,000 ton.

Një hetim mbi incidentin është në zhvillim, ndërsa autoritetet lokale po përpiqen të zbulojnë nëse anija ka shkelur rregullat mbi distancën që duhet të mbajë nga bregu dhe shpejtësinë e lejuar.
Zyra e kapitenit të portit njoftoi mbrëmjen e kaluar se është vendosur një kufi i ri shpejtësie për këtë zonë për anije të këtij lloji: jo më shumë se 11.5 nyje, për të shmangur përsëritjen e ngjarjes.







