UEFA ka gjobitur rëndë klubet angleze Chelsea dhe Aston Villa për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar (FFP), në vlerat më të larta të vendosura deri më sot nën versionin e ri të rregullores së futbollit evropian për qëndrueshmërinë financiare.
Chelsea – gjobë deri në 91 milionë euro
Chelsea do të paguajë një gjobë fillestare prej 31 milionë eurosh (rreth 26.8 milionë £), e cila mund të shkojë deri në 91 milionë euro (78.5 milionë £) nëse nuk përmbush objektivat e vendosura nga UEFA gjatë katër viteve të ardhshme.
Konkretisht:
- 20 milionë euro është gjoba e pakushtëzuar, për shkeljen e “rregullit të të ardhurave të futbollit”, që për herë të parë u aplikua për sezonin 2024–25.
- 80 milionë euro të tjera mund të aplikohen nëse Chelsea nuk përmbush kufizimet dhe planin e rivendosur të qëndrueshmërisë.
- 11 milionë euro shtesë është gjoba për shkeljen e “rregullit të kostos së skuadrës” – që ndalon shpenzimin për paga dhe transferime mbi një përqindje të caktuar të të ardhurave.
Ndër shkeljet e veçanta të përmendura është edhe shitja e ekipit të femrave tek një kompani “motër” për të shmangur penalizimet në rregulloret e brendshme të Anglisë – një veprim i lejuar në Premier League, por i ndaluar nga UEFA kur përdoret për të regjistruar fitime artificiale.
Aston Villa – gjobë me kushte për ringritjen evropiane
Aston Villa ka pranuar një gjobë totale prej 20 milionë eurosh (17.3 milionë £), nga të cilat:
- 5 milionë euro është e pakushtëzuar, për shkeljen e të njëjtit rregull të të ardhurave,
- ndërsa 6 milionë euro janë për shkeljen e rregullit të shpenzimeve të skuadrës.
Klubi nga Birmingami, që po përpiqet të sigurojë një vend në Champions League nën drejtimin e Unai Emery, ka deklaruar se dënimi nuk do të ndikojë në investimet e planifikuara për merkaton e verës, dhe se ka respektuar rregullat e shpenzimeve të Premier League në pasqyrat financiare të fundit.
Rregullat e reja të UEFA-s: kufizime më të forta
Nga sezoni i ardhshëm, klubet do të lejohen të shpenzojnë maksimumi 70% të të ardhurave të tyre për paga, transferta dhe kosto të lidhura me lojtarët, duke ulur kufirin nga 80% që ishte më parë.
UEFA thekson se gjatë analizës, kusht vëmendje të veçantë iu kushtua:
- shitjeve të aseteve materiale dhe jo-materiale,
- shkëmbimeve të lojtarëve (“swaps”),
- dhe transfertave midis palëve të lidhura – të cilat nuk do të llogariten si të ardhura të vlefshme.
Kjo është një sinjal i fortë nga UEFA për klubet që kërkojnë të anashkalojnë kufizimet financiare përmes skemave kreative, dhe paralajmërim për të gjithë pjesëmarrësit në garat evropiane.
Për momentin, as Chelsea dhe as Aston Villa nuk kanë dhënë komente zyrtare.







