Autoritetet ekuadoriane kanë njoftuar sekuestrimin e tre tonëve kokainë, një sasi që sipas tyre i përkiste mafias shqiptare, e cila ka krijuar lidhje të forta me kartelet kolumbiane, meksikane dhe bandat vendase. Droga u gjet e fshehur në kuti bananesh gjatë një operacioni të përbashkët të policisë dhe ushtrisë në një fermë pranë Guayaquil – porti më i madh i vendit dhe një pikë kyçe për trafikimin e lëndëve narkotike drejt SHBA-së dhe Evropës.
Ministria e Mbrojtjes e përshkroi operacionin si një “goditje të madhe për mafian shqiptare”, ndërsa njoftoi se pesë persona me lidhje të dyshuara me rrjetin kriminal shqiptar u arrestuan në flagrancë. Ky sekuestrim vjen në një kohë kur Ekuadori po përballet me një valë dhune të lidhur me trafikun e drogës, që e ka kthyer vendin nga një oaz paqeje në një nga zonat më të nxehta për krimin e organizuar në Amerikën Latine. Në vitin 2024, autoritetet regjistruan një rekord prej 294 tonësh drogë të konfiskuar, ndërsa shkalla e vrasjeve u rrit në mënyrë alarmante në 38 për 100 mijë banorë.






