Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore u bën thirrje të gjithë punëdhënësve të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e punonjësve në kushtet e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin. Temperaturat e larta paraqesin një rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë në punë, veçanërisht për ata që ushtrojnë aktivitete në ambiente të hapura.
Autoritetet kërkojnë:
- Riorganizimin e orareve të punës në fashat më të freskëta të ditës.
- Shmangien e punës në diell gjatë pikut.
- Pushime të shpeshta dhe zona freskimi për rikuperim.
- Furnizim me ujë të freskët gjatë gjithë kohës.
- Pajisje mbrojtëse si kapele dhe veshje të lehta.
- Mbikëqyrje aktive nga specialistët e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Zbatimi i këtyre masave synon të parandalojë lodhjen termike, goditjet nga dielli dhe problemet shëndetësore që lidhen me stresin nga nxehtësia, duke mbrojtur jetën e punëtorëve dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë ekonomike.