Pika kufitare e Qafë Botës është mbyllur papritur edhe këtë të premte, duke shkaktuar kaos për dhjetëra udhëtarë që tentonin të kalonin nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas. Mungesa e çdo njoftimi zyrtar i ka lënë qytetarët të bllokuar për orë të tëra në doganë, ndërsa janë detyruar të ndjekin rrugë alternative, duke humbur kohë dhe duke u përballur me kosto shtesë.
Sipas burimeve, mbyllja vjen si pasojë e një aksioni anti-korrupsion të autoriteteve greke, ku janë arrestuar disa doganierë të pikës kufitare për përfshirje në skema ryshfeti dhe kalime të paligjshme. Hetuesit kanë dokumentuar raste kur zyrtarët grekë shmangnin kontrollin e mjeteve me rimorkio kundrejt pagesave të caktuara. Ky është pezullimi i dytë i radhës që lë në mëshirë të fatit qytetarët shqiptarë.