FLASH :

Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet, por deputetët marrin rregullisht pagat – 230 mijë euro për vetëm 1 orë e 40 minuta punë

Edhe pse Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet pas plot 41 tentimeve, deputetët vijojnë të përfitojnë paga të majme. Nga 15 prilli deri më 31 maj, deputetët janë mbledhur 24 herë, por në total kanë qëndruar vetëm 1 orë e 40 minuta në sallë – kohë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit plot 230 mijë euro, apo rreth 1,860 euro për secilin deputet.

Sipas të dhënave të siguruara nga televizioni Dukagjini përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, asnjë nga 120 deputetët nuk ka refuzuar pagën, pavarësisht se puna e tyre në Kuvend ka qenë thuajse inekzistente. Ndërkohë, 17 deputetë që janë pjesë e qeverisë, përfshirë Albin Kurtin, kanë zgjedhur të marrin pagën e funksioneve ekzekutive që mbajnë – si ministër, zëvendësministër apo kryeministër.

Deputetët nuk përfitojnë mëditje, por disa prej tyre marrin shtesa bazuar në përvojën parlamentare. Ky zhvillim ka nxitur kritika të forta publike për shpërdorimin e fondeve publike dhe mungesën e vullnetit politik për të zgjidhur bllokadën institucionale.