Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar rastin e parë të sëmundjes virale PPR (Murtaja e Ripërtypësve të Vegjël) në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit. Pas testimeve laboratorike, sëmundja ngjitëse që prek delet dhe dhitë është identifikuar zyrtarisht, ndërsa autoritetet kanë shpallur zonën vatër të infeksionit dhe kanë vendosur masa të rrepta bllokimi në një rreze prej 3 kilometrash.
Sipas AUV, janë ndaluar të gjitha lëvizjet e kafshëve dhe produkteve të tyre në zonën e infektuar. Po ashtu, janë vënë në zbatim masa të biosigurisë dhe dezinfektimi i fermave, ndërsa është nisur një hetim epidemiologjik për të identifikuar burimin e infeksionit. Në nivel kombëtar, është ndaluar tregtimi i deleve dhe dhive dhe urdhëruar groposja e kafshëve të infektuara. Pavarësisht rrezikut për blegtorinë, autoritetet sqarojnë se sëmundja nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën kërcënim për shëndetin publik. Masat hynë në fuqi më 3 korrik 2025 dhe do të zbatohen në gjithë territorin e Kosovës.