Pas heshtjes dhe mungesës së plotë të qeverisë përballë situatës alarmante në inceneratorin e Elbasanit, më në fund një ministër u shfaq në vendngjarje – dhe jo çdokush, por ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Me një ton ironik dhe nën një sfond tymi të zi e zjarri të vazhdueshëm, Vengu vizitoi zonën ku prej ditësh digjen mbetjet në mënyrë të pakontrolluar, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin përreth.
Vizita e tij vjen një ditë pasi kolegët e kabinetit qeveritar zhvilluan një “gosti verore” vetëm pak kilometra larg impiantit në flakë, duke injoruar krejtësisht emergjencën mjedisore. Në vend që të ishte ministrja e Mjedisit, ajo e Shëndetësisë apo qoftë dhe ndonjë përfaqësues i emergjencave civile, Vengu duket se ka dashur t’i bëjë “dhuratë zjarri” shefit të tij, për të rënë në sy si i vetmi që “reagon”. Por edhe kjo lëvizje u shoqërua me ironi dhe dyshime për sinqeritetin e veprimit, në një kohë kur situata kërkon përgjegjësi reale, jo shfaqje të vonuara për kamerat.