Katër persona kanë humbur jetën dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur pasi një varkë u përmbys në Gjirin e Suezit, pranë bregut lindor të Egjiptit. Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje, ndërsa autoritetet egjiptiane konfirmuan zyrtarisht bilancin tragjik të mërkurën.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 22 të plagosur janë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Guvernatori i Detit të Kuq, Amr Hanafi, tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit vijojnë për të gjetur edhe tre persona të tjerë që rezultojnë të zhdukur.
Varka e quajtur Adam Marine 12 u përmbys në zonën e Jabal Zeyt, rreth 300 kilometra në jug të Kanalit të Suezit – një nga rrugët ujore më të rëndësishme tregtare në botë që lidh Evropën me Azinë. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi shkakun e aksidentit, ndërsa një hetim është hapur për të sqaruar rrethanat.
Zona e Gjirit të Suezit është e njohur për aktivitetet industriale dhe lundrimin intensiv, ndërkohë që siguria në transportin detar vijon të jetë një sfidë për autoritetet egjiptiane.