FLASH :

Vjosa Osmani vijon takimet me partitë për zhbllokimin e Kuvendit – thirrje për pajtueshmëri brenda afatit kushtetues

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një raund të ri konsultimesh me partitë politike në përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional që ka paralizuar Kuvendin. Takimet pritet të vijojnë edhe sot, pasi dje Osmani priti në zyrë krerët e partive kryesore parlamentare.

Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, konfirmoi se është ftuar për takim me presidenten që në orën 09:00 të mëngjesit. Po ashtu, edhe deputetja boshnjake Duda Balje njoftoi se ka marrë ftesë për të marrë pjesë në takimet e së enjtes.

Të mërkurën, Osmani priti Albin Kurtin e Vetëvendosjes, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së, duke u bërë thirrje liderëve që të arrijnë një marrëveshje “sa më shpejt”, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Në një deklaratë zyrtare, Presidenca bëri të ditur se qëllimi i këtyre takimeve është gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjithë aktorët politikë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza aktuale dhe institucionet të rifillojnë funksionimin e tyre të rregullt.