Një konflikt i fundit që ka ndodhur në Tiranë, i lidhur me zaptimin e një hapësire publike, është vetëm një nga përplasjet e shumta që ndodhin përditë në kryeqytet. Qendra e tij është bërë e pajetueshme për shkak të mungesës së hapësirave publike, ku fëmijët nuk kanë ku të luajnë dhe është gjithnjë e më e vështirë të gjenden vende parkimi. Si rezultat, më të fortët zaptojnë, ndërkohë që qytetarë të tjerë mbeten me “gisht në gojë” dhe u vështirësohet jeta çdo ditë e më shumë.
Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë banorë të kryeqytetit po preferojnë të bëjnë investimet e tyre në periferi, atje ku ndërtimet e reja janë më në harmoni me hapësirën dhe natyrën, dhe ku koeficienti i ndërtimit është më i ulët.

Ja cili është konflikti më i fundit që ka ndodhur në kryeqytet:
Banorët e Njësisë nr.2 në Tiranë, denoncojnë faktin se është zaptuar gjithë hapësira publike rreth pallatit te kryqëzimi mes rrugëve “Zonja Curre” dhe “Petro Nini Luarasi” (ish-Tregu Eletrik), për t’u kthyer në parking makinash.
Një grup individësh “të fortë” pretendojnë pronësinë në atë zonë dhe kanë zaptuar hapësirën publike, trotuarin e gjithçka tjetër, duke e kthyer në vend parkimi. Edhe pse banorët janë ankuar te Bashkia dhe autoritetet e tjera përgjegjëse, askush nuk merr masa.
Përveç zaptimit të hapësirës publike, ka ndotje akustike 24 orë dhe pasiguri në atë hapësirë, e cila duhet të jetë e përbashkët.
Edhe pse herë pas here aty paraqiten punonjës të Policisë Bashkiake, askush nuk merr masa, pasi siç duket pazari është mbyllur me “ata lart”.