Novak Djokovic i ka atribuar fitoren e tij në raundin e parë të Wimbledon një ndërhyrjeje vendimtare mjekësore në fushë, pasi mori ato që ai i quajti “pilula mrekullie” nga mjeku gjatë një time-out mjekësor. Por ndërsa serbi përmbysi një situatë të vështirë ndaj francezit Alexandre Muller, shumë tifozë nisën të dyshojnë sërish për sinqeritetin e ndërprerjes.

Djokovic kërkoi ndihmën e mjekut pak pasi humbi setin e dytë dhe u pa dukshëm i lodhur e në vështirësi fizike. Mjeku i dha një tabletë, e cila sipas tij ndihmoi në rikuperimin e energjisë. Pas këtij momenti, Djokovic fitoi 10 nga 12 lojërat e fundit dhe siguroi fitoren me shifrat 6-1, 6-7 (7-9), 6-2, 6-2.

“Shkova nga më i miri për një set e gjysmë, në më të keqin për 45 minuta,” tha ai pas ndeshjes. “Nuk e di nëse ishte ndonjë virozë në stomak apo çfarë, por pas pilulave të mjekut energjia m’u rikthye dhe e mbylla ndeshjen mirë.”
Por shumë tifozë nuk janë bindur. Në rrjetet sociale janë shtuar komentet që sugjerojnë se kjo ishte një tjetër rast ku Djokovic përdor ndërprerjet mjekësore si strategji për të thyer ritmin e kundërshtarit dhe për të rimarrë kontrollin psikologjik të ndeshjes.

“Djokovic humb një set dhe menjëherë kërkon mjek. Klishe e vjetër,” shkroi një komentues në Twitter. “E ka bërë këtë më shumë se një herë sa herë ndeshjet janë të ngushta.” Të tjerë ironizuan se “do të donin të dinin çfarë janë këto pilula magjike që e transformojnë për 10 minuta.”
Nuk është hera e parë që Djokovic përballet me skepticizëm. Në vitin 2022, ai u pa teksa “thithte” përmbajtjen e një shisheje gjatë Wimbledon, të cilën e përshkroi si “eliksir magjik”, duke mos dhënë kurrë detaje.

Megjithatë, mbështetësit e tij thonë se termi “pilula mrekullie” është një shprehje figurative që përdor shpesh, dhe se në këtë rast ai thjesht vuante nga dhimbje stomaku të lehta që u zbutën me ndihmën e medikamenteve.

Pavarësisht debatit, Djokovic e ka siguruar kalimin në raundin e dytë ku do të përballet me britanikun Dan Evans, ndërsa ka konfirmuar se synon titullin e 25-të Grand Slam. “Nëse nuk do të besoja se mund ta fitoja, nuk do të isha këtu. Wimbledon është turneu ku ndjej se mund të jap më të mirën.”
Me kampionët e rinj si Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner në formë të shkëlqyer, Djokovic e pranon se lufta do të jetë e fortë, por shpreson që përvoja në fushat me bar ta çojë sërish deri në fund.