FLASH :

Gati 400 trupa të pajetë të gjetur në një shtëpi tmerri në kufirin SHBA-Meksikë

Një zbulim makabër ka tronditur autoritetet në qytetin kufitar Ciudad Juárez, përballë El Pasos në Teksas: thuajse 400 kufoma janë gjetur të grumbulluara në një ndërtesë të zakonshme që më shumë i ngjante një shtëpie sesa një krematoriumi. Sipas raportimeve nga stacioni televiziv KVIA, janë evidentuar 383 trupa të plotë dhe gjashtë mbetje të pjesshme.

Disa prej trupave besohet se kanë qenë të pajetë për tre deri në katër vjet. Shumica duket se ishin të balsamosur, por nuk ishin as varrosur dhe as djegur, çka ka shtuar dyshimet për abuzim dhe mashtrim masiv. Autoritetet meksikane zbuluan vendin pas një sinjalizimi të enjten, duke hapur rrugë për një hetim që po thellohet dita-ditës.

Pronari i objektit, Jose Luis Arellano Cuaron, dhe një punonjës i tij do të përballen me akuza për asgjësim të papërshtatshëm të trupave, ndërsa po shqyrtohet nëse ndonjë prej viktimave mund të jetë vrarë, çka mund të sjellë akuza të tjera penale.

Hetimet paraprake tregojnë se trupat mund të jenë marrë nga gjashtë agjenci funerale të ndryshme në qytet, ndërkohë që familjet ishin mashtruar duke marrë hi të rreme, duke besuar se të afërmit e tyre ishin djegur sipas procedurave. “Ata vazhdimisht merrnin trupa për kremim dhe mashtronin qindra herë agjencitë funerale,” deklaroi Prokurori i Përgjithshëm i Chihuahua-s, César Jáuregui.

Edhe pse pronari kishte pasur tre licenca operimi, nuk dihet nëse aktiviteti i tij ishte i ligjshëm në kohën e ngjarjes. Guvernatorja e shtetit e përshkroi rastin si veprimtari të udhëhequr nga “njerëz të papërgjegjshëm dhe pa skrupuj.”

Kjo ngjarje e tmerrshme po konsiderohet gjithashtu si një mundësi për mbyllje emocionale për qindra familje që kanë kërkuar për vite me radhë të afërmit e zhdukur në një qytet të njohur për dhunën e karteleve dhe rrëmbimet, sidomos gjatë viteve të presidencës Biden, kur shumë emigrantë në pritje për të hyrë ligjërisht në SHBA u zhdukën pa gjurmë.

Shteti ka hapur një proces për identifikimin e trupave dhe u ka kërkuar familjeve që të paraqiten me një dokument identiteti, përshkrim të veshjeve të fundit që mbante personi i zhdukur dhe emrin e agjencisë funerale ku e kishin dorëzuar trupin. “Të gjitha nënat na thonin: ‘Vajza ime nuk është atje.’ Tani kemi mundësinë të dimë kush janë këta njerëz,” tha Yadira Cortez, përfaqësuese e rrjetit të grave në Ciudad Juárez.

Ngjarja ka ndezur alarm kombëtar në Meksikë dhe pritet të shkaktojë hetime të mëtejshme ndaj industrisë funerale dhe institucioneve që duhet të mbikëqyrin këtë sektor delikat.