Një fenomen atmosferik i rrallë dhe mbresëlënës ka tërhequr vëmendjen e mijëra pushuesve në bregdetin e Portugalisë, duke u bërë viral në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Roll Cloud” një lloj reje e rrallë me formë horizontale dhe të zgjatur, që ngjan me një tub gjigant që lëviz mbi sipërfaqen e detit. Fenomeni u regjistrua në disa qytete bregdetare si Povoa de Varzim, Vila do Conde dhe Figueira da Foz, ku shumë pushues mbetën të habitur nga pamjet që në shikim të parë ngjanin me një cunami që po afrohej drejt bregut.
Në videon që qarkulloi me shpejtësi në rrjet, duket një mur i bardhë resh që afrohet në horizont, duke krijuar një atmosferë të pazakontë dhe njëherësh tërheqëse.
Sipas ekspertëve të motit, ky fenomen shkaktohet nga përplasja e masave ajrore me temperatura të kundërta dhe ndikimi i flladeve të detit, çka çon në formimin e kësaj reje rrotulluese që lëviz paralelisht me tokën. Edhe pse vizualisht mund të shkaktojë panik, “Roll Cloud” nuk ka lidhje me ndonjë cunami dhe nuk përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën. Megjithatë, kalimi i saj shoqërohet shpesh me erëra të forta, të cilat befasuan edhe më shumë pushuesit. Shumë prej tyre e përshkruan përvojën si “një nga momentet më surrealiste që kanë përjetuar ndonjëherë në plazh”.
Fenomeni është i rrallë në Europë dhe shfaqja e tij në Portugali konsiderohet një ngjarje e jashtëzakonshme në kalendarin meteorologjik të këtij viti.







