Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe dhe më gjerë, pasi një vajzë 7-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën pas rënies së një peme mbi disa fëmijë në parkun Chalkwell në Essex.
Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën rreth orës 15:00.
Viktima është identifikuar si Leona Ruka, me banim në Dagenham, e cila ndodhej në park për të takuar të afërmit e saj. Gjatë kohës që po luante bashkë me katër fëmijë të tjerë, një pemë e madhe u rrëzua papritur mbi ta.
Një dëshmitar i ngjarjes tha për BBC se për të larguar pemën u deshën 40 deri në 50 persona, të cilët bashkëpunuan me shërbimet e emergjencës në përpjekje për të shpëtuar fëmijët e zënë poshtë saj.
Për fat të keq, Leona ndërroi jetë në vendngjarje nga plagët e marra. Një vajzë tjetër 6-vjeçare mbeti e plagosur rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike, ndërsa tre fëmijët e tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta.
Familja Ruka ka ndarë një mesazh emocional për vajzën e tyre të ndjerë:
“Leona ishte më shumë sesa thjesht një fëmijë, ajo ishte një dritë në jetën tonë… një shpirt inteligjent dhe kurioz, plot energji, dashuri dhe kreativitet. Ajo ndriçonte çdo dhomë ku hynte dhe çdo zemër që prekte.”
Ngjarja ka ngjallur reagim të gjerë në komunitet, ndërkohë që është nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve për funeralin e Leonës. Deri tani janë mbledhur mbi 30 mijë paund, ndërsa një pjesë e shumës pritet të shkojë edhe për familjen e vajzës 6-vjeçare që po lufton për jetën në spital.
Autoritetet britanike kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të pemës dhe nëse ngjarja ka ndodhur si pasojë e neglizhencës nga autoritetet vendore që administrojnë parkun.







