Një zjarr i fuqishëm ka rënë pasditen e djeshme në një pyll me pisha ndërmjet fshatrave Malçan, Grazhdan dhe Zminec, në territorin e bashkisë Finiq. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, duke rrezikuar zonat e banuara përreth.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rënia e një pishe mbi telat e linjës së energjisë elektrike. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë për të izoluar vatrën dhe për të penguar përhapjen e flakëve drejt fshatrave përreth.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa apelojnë për kujdes të shtuar nga banorët dhe kalimtarët në zonat pyjore gjatë temperaturave të larta të verës.